“5000 LIBRA BIBLIOTEKËS SË SHKOLLËS FILLORE TË KISHAVËS”
Shtëpitë botuese “Logos-A” (Shkup) dhe ”Shkupi” (Shkup) në bashkëpunim me Shoqatën joqeveritare “22 Nëntori” (Manastir) dhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni (Shkup), me rastin e Ditës së Mësuesit -7 Marsit, më 5 mars 2019 dhuruan 5000 libra (“Logos-A”: 3000 dhe ”Shkupi”: 2000) Bibliotekës së Shkollës Fillore “Kërste PetkovMisirkov” të fshatit Kishavë të Manastirit.
Ky aktivitet është vazhdimësi e bashkëpunimit të ShB “Logos-A” dhe ShB “Shkupi” nga viti i kaluar kur poashtu për nder të 7 Marsit dhuruan 37400 libra (“Logos-A”: 30000 dhe ”Shkupi”: 7400) bibliotekave shkollore gati se në tërë Maqedoninë.
Këtë vit, u përcaktuam për Bibliotekën e Shkollës fillore “Kërste Petkov Misirkov” të Kishavës me rekomandim të Shoqatës joqeveritare “22 Nëntori” nga Manastiri, ku simbolika e dhurimit të librit në këtë vatër tradicionale të arsimit dhe kulturës, ka për qëllim që t’ia tërheqë vëmendjen tërë shoqërisë shqiptare kah rrënjët e shkrim leximit shqip, pse jo dhe qytetërimit shqiptar, pasi ne sot shkruajmë me alfabetin që ka lindur pikërisht në këtë qytet.
Për shkak të simbolikës, projekti u realizua para dhe brenda ndërtesës së Shkollës fillore së Kishavës së Manastirit, sëbashku me stafin dhe arsimtarët e kësaj shkolle, ku bukurinë dhe kënaqësinë e të qenurit pranë dijes dhe arsimit, ia shtuan mbi 70 nxënës të kësaj shkolle, që me shumë entuziazëm i mbanin dhe shfletonin librat deri tek biblioteka e kësaj shkolle.
Megjithatë, të gjitha meritat e këtij pasurimi modest të kësaj biblioteke shkollore janë të veprimtares së shquar qytetare nga Manastiri Sibela Alimovskës që udhëheqë me OJQ “22 Nentori”, që së bashku me veteranin e arsimit shqip mësues Ramizin, gjithmonë janë pranë kërkesave të Manastirasve. Për rëndësinë e pasurimit të fondit të kësaj biblioteke foli kryetari LASH-it, z.Nuhi Dardhishta, i cili i ftoi institucionet përgjegjëse shtetërore, që të investojnë në infrastrukturat e shkollave periferike, kudo që ato ekzistojnë, sepse zhvillimi i një shoqërie bëhet vetëm me arsimim të avancuar, që ec me kohën dhe të arriturat bashkëkohore.
Vlen të theksohet edhe entuziazmi i drejtorit të 15 shkollave rajonale të “Kërste Petkov Misirkovit” z. Dimitar Pipilevski, në të cilat gjendet edhe shkolla e Kishavës, që kërkesa e tij nga shtatori i vitit të kaluar për punësimin e një bibliotekiste shqiptare në këtë shkollë tashmë më lehtë të realizohet.
Shpesojmë, që vitin e ardhshëm këtë shkollë (dhe jo vetëm këtë), me këta arsimtarë të mrekullueshëm, të cilët si rrallëkush, po e kryejnë misionin e tyre të shenjtë ta shohim edhe më të rregulluar, në të gjitha kuptimet e saja. Këta nxënës, vërtetë e meritojnë një objektë më të rregulluar! Modestia dhe shkëlqimi i tyre e obligon çdo njeri dhe çdo institucion të ndihmoj këtë shkollë me mjete mësimore dhe riparim të saj!