Vetë titulli i këtij libri (Kronisti i vetmuar në qytetin e konzujve) është metaforë për jetën dhe angazhimin profesional të Qenan Hasanit, sepse veproi në një hapësirë, si në skaj të botës (shqiptare), ku jo vetëm ai si gazetar ishte dhe mbeti i vetmuar, por të vetmuar dhe si jetimë mbeten të ndjehen ata disa mijë shqiptarë të Manastirit me rrethinë, me sfida të vazhdueshme të mbijetesës.
Ky libër është vetëm një pjesë e vogël e shkrimeve që autori i ka zgjedhur për botim, duke u kufizuar vetëm në skicat dhe reportazhet, të cilat kanë jetë më të gjatë se lajmet ose raportet, porse edhe qindra tekste tjera autori me pedantëri i ka përgatitur për t’i futur në kopertina libri në ndonjë rast tjetër, sepse ato janë një dëshmi e gjallë për frymëmarrjen e ngulçuar të njeriut të kësaj treve me një të kaluar të rrëmbyer dhe ardhmëri pa shumë optimizëm(…) Të shpeshtën, shkrimet e tij janë përplot emocione, ndonjëherë më shumë seç do t’i lejohej një gazetari “të paanshëm”, por prej tij as që mund të pritej të jetë i paanshëm në një mjedis ku ai edhe si autor bashkëndjen me hallet e njerëzve, sepse ai është në anën e së drejtës, dhe e mbron me ngulm të drejtën e shqiptarit të Manastirit për të qenë i barabartë, për të mos qenë i diskriminuar, për të mos qenë i shtypur, për të pasur shanset e njëjta si qytetarët tjerë, prandaj dhe “anshmëria” e tij janë më se të kuptueshme dhe të arsyetueshme. Me një fjalë, Qenan Hasani, duke qenë korrespodent nga qyteti i konsujve, sa ka qenë gazetar, edhe më shumë ka qenë misionar, ndonëse në anën tjetër, në masë të madhe e ka vënë në sprovë angazhimin gazetaresk, duke u ballafaquar me dyer të mbyllura ose heshtje institucionesh kur është dashur të trajtojë ndonjë problem… Daut Dauti