Fadil Curri

Fadil Curri, autor i librit “Hani i tre djajve” u lind më 25 shtator 1959, ndërroi jetë më 6 prill 2024. Shkollimin fillor, gjimnazin “Zef Lush Marku” dhe Fakultetin Filologjik-dega Gjuhë Shqipe e Letërsi i kreu në Shkup.

Në fillim të karrierës së tij punoi si kryeredaktor i gazetës industriale “Sharri” në Han të Elezit dhe shef i informimit në këtë kombinat. Në dhjeta intervista të radios e televizionit dhe botimeve të shtypura i sheshoi mendimet e tij për kulturën, letërsinë, librin dhe fusha të tjera ndërgjegjësimi në shoqëri. E drejtoi edhe revistën “E vërteta” në Shkup e Tetovë.

Qysh nga shkollimi fillor merret me krijimtari letrare, duke i botuar krijimet letrare në revistat për fëmijë të Shkupit “Gëzimi” e “Fatosi”, pastaj edhe në rubrikat letrare të gazetave e revistave shqipe në ish-Jugosllavi. Punoi si gazetar. Në fushën e letërsisë Fadil Curri është autor i rreth 20 librave të botuara, romane, poezi, drama, publicistikë e zhanre të tjera.

Disa krijime letrare i janë përkthyer edhe në gjuhët jo amtare, por edhe ka përkthyer nga gjuhët sllave në gjuhën shqipe shumë krijime letrare. Është autor i qindra recensioneve për librat e shkrimtarëve shqiptarë e botërorë, promovues e prezantues i tyre.

Librat nga Fadil Curri