Ditët e letërsisë suedeze | Tetor 2019

Në kuadër të “Ditëve të letërsisë suedeze”
“Shkupi” promovoi librin “Anabella” nga Lena Bengtsdotter
Shtëpia botuese “Shkupi” sot, në Sallën e Komunës së Çairit, promovoi romanin ANABELLA të shkrimtares suedeze Lena Bengtsdotter, që u realizua në kuadër të DITËVE TË LETËRSISË SUEDEZE, të cilat për të tretin vit me radhë organizohet nga Shtëpia Botuese “Shkupi” dhe Shoqata Kulturore MIGJENI nga qyteti Boras i Suedisë.

Poashtu, si në dy manifestimet e kaluara, edhe sivjet, të pranishëm ishin edhe dy përfaqësues të denjë të letërsisë bashkëkohore suedeze: poeteshave, Anna Holmström Degerman dhe Brita Stenberg, të cilat tonë gjatë këtij promovimi recituan dy poezi të shkurtëra, që u përcollën edhe të shqipëruara nga veprimtari dhe krijuesi ynë nga diaspora Hamit Gurguri.

Promotorët e këtyre ditëve nga Shoqata Kulturore Migjeni, kryetari Sokol Demakun, që njëkohësihtë është edhe përkthyes i romanit “Anabella”, para të pranishmëve bëri një hyrje për qytetin Boras dhe shtetin suedez nga vijnë ata dhe mysafirët suedez, që mëpastaj në mënyrë të hollësishme foli për romanin Anabella, që bëhet fjalë për “një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçar, që jeton me nënën e saj narkomane, e cila nuk është e zoja të kujdeset as për vete, e lere më për vajzën e saj adoleshente” duke shtuar se vetë “titulli i saj, “Anabella”, asocon me një vepër tjetër të njohur, atë të Edgar Alan Po-së, “Anabell Li”. Po e përmend këtë asocim, sepse duket se autorja jo rastësisht e ka marrë si lajtmotiv këtë poezi të famshme të veprës së saj, për të vënë korelacion midis fatit tragjik të personazhit të saj dhe veprës së Alan Posë.

Natyrisht, në një vepër bashkëkohore, korelacioni mund të jetë pikë nismëtare, për të thurrë një rrëfim krejt origjinal tragjik, të një personazhi që mund të ishte nga çdo vend, nga çdo familje e ditëve tona. Romani që ka thurrje trileri, në të vërtetë më tepër është si një lloj rentgen i botës sonë ku tjetërsimi i njeriut nga vetëvetja ose dekadenca kanë arritur kulmin.”

Në pjesën e dytë të promovimit me poezi të tyre u paraqitën dy poeteshat suedeze Brita Stenberg dhe Anna Holmström Degerman, që përmes vargjeve të tyre të pranishëmve u dhuruan një fije nga shpirti i kombit bujar suedez.

Vargjet në shqip recituan Hamit Gurguri (i cili tashmë është mysafir por edhe bashkëorganizator i përhershëm i Ditëve të Letërsisë Suedeze që mbahet në Shkup) dhe Riza Sheqiri (ish-gazetar i Radio Prishtinës, i cili në Suedi gjeti strehim pas masave të dhunshme të pushtetit të atëhershëm të Serbisë).
Në përmbyllje të pjesës së dytë, fjalë përshëndetëse iu dha kryetarit të Këshillit të Komunës së Çairit Zahir Bekteshit, në cilësinë e nikoqirit, ndaj të cilit Shtëpia botuese SHKUPI shprehu mirënjohje për këtë bashkëpunim, sepse Komuna jo vetëm që ua lë në disponim Sallën për promovime dhe aktivitete të tjera, por SHKUPI vite të tëra shfrytëzon edhe resurse të tjera të saj.

Me këtë rast, kryetari i Këshillit të Komunës Zahir Bekteshin jo vetëm që e përshëndet promovimin dhe këtë bashkëpunim, por u dëshmua si lexuesi i parë i këtij romani, duke vlerësaur lartë edhe përmbajtjen e veprës, por edhe përkhimin letrar të realizuar nga përkthyesi Sokol Demaku.

Këtë ngjarje letrare dhe kulturore, në mënyrë dhe formë të veçantë e zbukruan nxënësit e profesoreshës Shpresa Ismaili nga Shkolla e mesme medicinal e Shkupit dhe nxënësit e profesorit dhe krijuesit Naser Miftari nga gjimnazi “Zef Lush Marku”

Në fund, Shoqata MIGJENI dhe SHKUPI, në shenjë falenderimi dhe respekti për nikoqirin, i dhuruan nga një komplet librash. Ndërkaq, Shtëpia botuese SHKUPI, të gjithë të pranishëmve në Sallë u dhuroi nga një libër dhuratë. Por, sipas FTESËS për promovim në FB, ata që nuk erdhën, duhet të sjellin nga dy libra shtëpisë botuese SHKUPI, si “dënim”, për mosardhjen e tyre të paarsyeshme (Kjo ishte shaka)!