Ditët e letërsisë suedeze | Nëntor 2018

NJË ORË LETRARE DHE PROMOVIM LIBRI
NË FUND TË DITËVE TË LETËRSISË SUEDESE

Me orën poetike dhe me promovimin e një romani nga letërsia suedeze, të premten(2 nëntor 2018), në Sallën e Komunës së Çairit, përfundoi manifestimi dy ditor DITËVE TË LETËRSISË SUEDEZE 2018, organizuar nga Shtëpia Botuese “SHKUPI” në bashkëpunim me Qendrën Kulturore MIGJENI nga Boras-i i Suedisë.

Poezitë e tyre lexuan poeteshat suedeze Kristin Bjarnadottur, Louise Harvardsson, Axin Ëelat ndërkaq Hamit Gërguri, veprimtar dhe shkrimtar shqiptar në Suedi, e lexoi një poezi të Anna Matson-it, e cila para se të nisej për Shkup, papritmas ishte shtrirë në spital për shërim.

Poashtu poezitë e tyre i recituan edhe dy poetët e rinj Anxhela Ziso dhe Bahtir Latifi nga Qendra Kulturore MIGJENI.

Manifestimi përfundoi me promovimin e librit të Sara Kadeforsit, “Nisja e Billit në ora 9.42 për një jetë të re”, për të cilin folën shkrimtari Rrahim Ganiu dhe përkthyesi Sokol Demaku.
Në përmbyllje të Ditëve të Letërsisë Suedeze, të pranishmit I përshëndeti me një fjalim mbresëlënës vetëm në gjuhën shqipe, ambasadori i Suedisë, shkëlqesia e tij Mats Staffantson. Ai e përgëzoi SHB Shkupi përkthimin e veprave të autorëve suedezë, me çka i kontribon bashkëpunimit midis kulturave dhe afirmimit të vlerave të letërsisë suedeze te lexuesit e këtushëm në gjuhën shqipe.

Një falënderim publik që na nderoi me fjalët frymëzuese dhe përkrahjen e parezervë përpjekjeve tona si shtëpi botuese, me ç’rast në shenjë falënderimi I dhuruam në komplet librash.

Në mbarim të këtij manifestimi, edhe piktori Afrim Shatku i dhuroi një pikturë ambasadorit suedez, ndërkaq autorja Halide Palloshi, ambasadorit dhe tre poeteshave suedeze ua dhuroi nga një monografi ekskluzive ‘VESHJET KOMBËTARE SHQIPTARE”
SHB Shkupi, gjithë të pranishmëve u dhuroi nga një libër të autores Sara Kederfors.

Një falënderim i veçantë i SHB “Shkupi” i shkon Qendrës Kulturore “Migjeni”, dhe dy aktivistëve të palodhshëm, Sokol Demakut dhe Hamit Gërgurit, të cilët u përkujdesën që të organizojnë këtë ekspeditë letrare e kulturore.

Gjithsesi, fundi i këtij manifestimi nuk do të ishte kaq i bukur po të mos ishte edhe mirëkuptimi që hasëm te autoritetet e Komunës së Çairit, që na e lejuan sallën. Pra, falënderime kryetarit Visar Ganiu dhe stafit të tij… Një falenderim i veçantë është për dy arsimtarët e ShF Adem Jashari, Habibe Bekteshi dhe Zirafete Zyrafete Sllamniku, që enkas per keto Ditë… organizuan Program artistik me nxënësit e tyre, gjë që i gezoi mysafiret tanë nga Suedia. Poashtu edhe dy profesorët me nxënësit e tyre Shpresa Ismaili me nxënësit e Shkollës së Mesme Medicinale dhe Naser Miftari me nxënësit e Gjimnazit Zef Lush Marku, që përmbylljes së këtij Manifestimi letrar “Ditet e letërsise suedeze”, i dhanë edhe një impuls me praninë e tyre! Mirupafshim në manifestime tjera!