Azam Dauti u lind në fsh. Bojanë të Shkupit në vitin 1964.
Shkollën fillore (ShF ”Dame Gruev”) dhe të mesme (Gjimnazin “Zef Lush Marku) i ka mbaruar në Shkup. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Filologjik –Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në vitin 1993 në Universitetin e Prishtinës. Magjistroi në Universitetin FON në Shkup, në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Diplomacisë, në temën “Zhvillimi i barabartë kulturor si parandalim i konflikteve në Maqedoni”.
Doktoroi në Universitetin e Bibliotekarisë dhe Teknologjisë Informatike (UNIBIT) në Sofje të Bullgarisë, në programin studimor: Veprimtari Botuese dhe Bibliografi, nga e mori titullin “Doktor i shkencave shoqërore dhe informatike”. Në vitin 1994 themeloi Shtëpinë Botuese “SHKUPI”, ndërsa në periudhën 1994 – 2004 ishte kryeredaktor i magazinës politike GLOBI, botim i të njëjtës shtëpi botuese.
Ndër vite ka shkruar shkrime të shumta publicistike, e gazetareske, si dhe ka botuar edhe krijime letrare në revista dhe gazeta të Maqedonisë dhe Kosovës, siç janë: “Rilindja”, “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Flaka e vëllazërimit”, “Fakti”, “Koha”, “Koha e re”, “Jeta”, “Zhurnal” etj.
Prej vitit 2000 deri 2004 është themelues dhe kryetar i parë i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni. Në periudhën 2009-2013 ishte kryetar i Këshillit Komunal të Komunës së Çairit.
Jeton në Shkup dhe punon në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni si dhe është i angazhuar si ligjërues në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.