Promovime, fushata letrare “BLEJ E DHURO LIBËR”…
Përvjetorin e sivjetmë e filluam në fillim vitin e 20024, kur i promovuam 10 libra të përkthyer nga letërsia botërore në shqip (Japoni, Suedi, Tajvan, Kroaci, Danimarkë etj.). Para dy muajsh filluam fushatën “BLEJ E DHURO LIBËR”, ku u dërguam Ftesë që ambasada të ndryshme, asociacione afariste shqiptare dhe institucione që t’i bashkëngjiten kësaj fushate me çmim promovues për 150 denarë të gjitha librat nga produksioni jonë. Kështu që, kësaj fushate vendosën t’i bashkëngjiten këto ambasada: nga Ambasada e Norvegjisë në Beograd (për Serbi dhe Maqedoni e Veriut) me blerjen 1720 libra nga letërsia norvegjeze, Ambasada e Irlandës në Bukuresht (për Rumani, Moldavi dhe Maqedoni e Veriut) me 410 libra nga letërsia irlandeze, Ambasada e Çekisë në Maqedoni me blerjen e 110 libra nga letërsia çeke dhe Ministria e Jashtme e Tregtisë dhe Evropiane e Maltës me blerjen e 102 librave nga letërsia malteze.
Nga ky fond i librave nga 25 deri 28 nëntor, u dhuruan:
414 libra Gjimnazit Zef Lush Marku”, Shkup
350 libra Shkollës së Mesme “Boro Petrushevski” Shkup,
310 libra, Shkollës së mesme “Dr.Pançe Karagjozov”, Shkup
318 libra Shkollës së mesme “Cvetan Dimov” Shkup,
310 libra Shkollës së mesme “Arsenie Jovkov”, Shkup
368 libra Shkollës së mesme “Maria Kiri” dhe
333 libra Shkollës së mesme “Saraj” Shkup
Kjo fushatë, edhe pse u mendua që të jetë më e suksesshme, megjithatë simbolika e dhurimit të librit po fillon të ketë suksesin e vet, në afirmimin e librit. A do të ketë reflektime të tjera kjo fushatë, mbetet për të parë.
Dhe sot (5 dhjetor 2024) në mënyrë solemne po e shënojmë 30 vjetorin e Shtëpisë botuese, nën moton “30 vjet…frymë letrare”, si dhe organizimin e DITËVE TË LETËRSISË SUEDEZE, që tashmë është bërë traditë e bashkëpunimit me Qendrën Kulturore MIGJENI nga Boras e Suedisë, në të cilin promovim, do të promovohen 2 libra suedez dhe një çek. Ne mendojmë, që kjo është një rrumbullakësim i gjithë asaj që mund të thuhet, se në mënyrë modeste po e shënojmë këtë 30 vjetor të Shtëpisë botuese SHKUPI.
30 vite jete… frymë letrare
Shtëpia botuese SHKUPI u themelua në vitin 1994 dhe deri më tani ka botuar 300 libra, prej tyre thuaja se gjysma nga letërsia kombëtare shqiptare dhe mbi 150 janë Letërsi botërore, e ndër ta 70 për qind e librave me shpërblime letrare ndërkombëtare, ndërkaq të tjerat me shpërblime vendore. Libra këto që të gjitha ishin rekomandime nga botues dhe agjencinë të ndryshme të drejtash autorësh, me të cilët kemi ngritur miqësi letrare e kulturore që thuaja se dy dekada me radhë.
Nga viti 1994 deri 2022 e botoi magazinën politike GLOBI (43 numra), ndërkaq nga viti 2006 e këndej për çdo vit, ka organizuar promovime të shumta të atyre librave që janë botuar nga gjuhë të huaja në shqip, edhe atë kryesisht prej 5 deri 8 libra të promovuar në mënyrë grupore, nga ato libra që në ndërkohë janë botuar nga letërsia e caktuar evropiane dhe botërore. Në këto promovime kanë marrë pjesë autorë librash, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, studentë, profesorë, autoritete kulturore e politike, ambasadorë të ndryshëm etj.
Në promovimet e Shtëpisë botuese SHKUPI, jo vetëm që prezantohej letërsia e huaj, por edhe bëhej afirmimi i kulturës evropiane dhe botërore, e me këtë bashkëpunimit tonë vendor me të huajtë i japim vlera shtesë letrare e kulturore, në hapërimin e saj drejt euro integrimeve.
Duke i parë ndikimet pozitive që kanë patur botimet e librave të përkthyer, si dhe promovimet e tyre, lirisht mund të thuhet që Shtëpia botuese SHKUPI, ka dhënë një kontribut të veçantë në afirmimit e letërsisë dhe kulturës evropiane dhe botërore në Maqedoninë e Veriut.
Vështirësitë…
Për të gjitha vështirësitë tona gjatë rrugëtimit tonë, rrugëtim ky, që i ngjanë pothuajse ecjes së ngadaltë të breshkës, opinioni në Maqedoni dhe më gjerë ka qenë shumë herë i njoftuar. Sot nuk kam ndonjë arsye të përmendë këto vështirësi të Shtëpisë botuese SHKUPI, e as të librit shqip në Maqedoni, sepse gjithçka që kemi menduar se duhet thënë në mënyrë institucionale, ne e kemi thënë. Sot, për ne është një ditë gëzimi, pavarësisht nga ajo, se nuk mund të parashohim se si do të jetë nesër. Lumturia jonë është ky produksion letrar i ofruar gjatë këtyre 30 viteve, si dhe përpjekjet tona për të avancuar librin shqip në Maqedoni. Satisfakcion më të mirë se ky, për ne nuk ka.